e premte, 26 shtator 2008

Xhelal ef. Xhemail:"Ramazani-Xhumaja e katërtë"


Ramazani-xhumaja e katërtë
I falemenderohemi Allahut xh.sh.krijuesit të gjithësis.Salati dhe selami (shpëtimi dhe paqa ) e Allahut xh.sh. qoftë mbi të dërguarin e fundit Muhammed mustafan vulën e të gjithë pejgamberëve.Gjithashtu edhe mbi familjen e tijë të pastër dhe mbi shokët as-habët e tij të zgjedhur si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekën dhe do ta ndjekin rrugën e pejgamberit s.a.v.s. deri në ditën e gjykimit,Allahu xh.sh. qoft i kënaqur me ne dhe me ata.
Vëllezër besimtarë! Allahu xh.sh.në ajetin 185 të sures El-Bekare na drejtohet neve besimtarëve dhe thotë se ”Muaji i Ramazanit është ai në të cilin filloi zbritja e Kur-anit,i cili është udhërrëfyes për njerzit,dhe plot argumente të qarta për të dalluar të vërtetën nga jo e vërteta”.
Vëllezër besimtarë! Siç shihet dhe kuptohet nga ajeti Kur-anor,muaji i Ramazani bëhet i shenjtë dhe merr famë më të madhe nga se Allahu Fuqiplotë e zgjedh dhe e cakton kët muaj për zbritjen e Kur-anit,kushtetutës islame,e cila duke ofruar fakte të sakta mbi të vërtetën,ndihmon gjininë njerzore që të mundë të dallojë se çka është mirë dhe çka është keq,të dallojë të vërtetën prej asaj që është gënjeshtër (rrenë),të dallojë dritën prej errësirës.Kur-ani Famëlartë i zbriti pejgamberit tonë të dashur Muhammed s.a.v.s. në natën e 27-të Lejlei-Kadrit.,gjë të cilën e vërteton edhe vet Kur-ani Famëlartë në suren El-Kadër,ku Allahu xh.sh. thotë:“Ne filluam ta shpallim (Kur-anin) natën e Kadrit”.(El-Kadr 1)„E ç’të bëri ty të dijsh se çështë nata e Kadrit?“ (El-Kadr 2)„Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!“ (El-Kadr 3)
Vëllezër besimtarë! Kur’ani Kerijm,kjo dritë e dhuruar prej Zotit të Madhërishëm e shpëtoi njeriun prej imitimeve të verbëta,e shpëtoi prej asaj paditurie,në të cilën padituri apo injorancë njeriu i pat humbur ndjenjat e veta shpirtërore personale,poashtu e kishte humbur vlerën e vetës së vet,familjes dhe të bashkësisë.
Vllezër besimtarë! Kjo natë e madhe në të cilën filloi zbritja e Kur-anit,ne sonte e kemi para nesh,d.m.th. sonte është nata e madhe e Lejlei-Kadrit.Nga kjo kuptohet se ne po i afrohemi ditëve të fundit të këtij muaji të zgjedhur.Këta ditë të shkëlqyeshme vëllezër besimtarë shumë shpejtë na kaluan,sepse sa u mësuam që sa më lehtë ti agjërojmë si me trup ashtu me shpirtë pra na afrohet koha që të ndahemi me mysafirin tonë të dashur.Vëllezër besimtarë! Besoj se të gjithë ne që ja kemi dhënë besën Allahut e kemi shfrytëzuar ket muaj duke bërë ibadete të ndryshme,por duhet të i shfrytëzojmë edhe ditët e ardhshme që na kanë mbet duke i kryer të gjitha obligimet siç janë: Manifestimi i natës së kadrit,dhënja apo shpërndarja e sadekatul-fitrave dhe dhënja e zekatit etj.Këto janë obligime të cilët kryhen ditëve të fundit të Ramazanit,sidomos sadekatul-fitrat të cilët i kemi për borxh-vaxhib ti japim deri sa nuk është falë namazi i bajramit.Sepse siç thotë pejgamberi s.a.v.s.në nji hadith: ”Kush e jep sadekatul-fitrin para namazit të bajramit,ajo është sadekatul-fitër i vërtetë i cili është i pranuar te Zoti xh.sh.,kurse kush e jep sadekatul-fitrin,pasi si ta fale namazin e bajramit,ajo është si me dhënë sadak të thjeshtë”.
Vllezër besimtarë! Pejgamberi s.a.v.s. thotë:”Sadekatul fitri ua pastron agjerimin nga fjalët e dobëta dhe të pa pëlqyeshme”.Për ate se ndoshta gjat muajit të Ramazanit kemi folur ndonjë fjalë që nuk është deshtë të flitet.Dhe në fundë vëllezër besimtarë! Këtë hytben e sodit do ta e përfundojm me hadithin e pejgamberit s.a.v.s ku thotë:“Agjerimi i Ramazanit rinë varët në mes tokës dhe qiellit,dhe nuk pranohet te Allahu xh.sh. deri sa nuk jipet sadekatul-fitri.”Kuptohet kjo vlen për ata njerëz të cilët kanë mundësi materiale që ti paguajn.Sepse Allahu xh.sh. nuk e ngarkon robin e vet me atë që ai nuk mundë ta baje.
Vllezër besimtarë! E lusim Allahun xh.sh.që të na ndihmon dhe të na shpërblen për çdo ibadet që e kryejm në emër të Tijë.Amin.

e diel, 21 shtator 2008

Xhelal ef. Xhemail:"Ramazani-Xhumaja e tretë"


Ramazani-Xhumaja e tretë
Hutbe: Nga Xhelal ef. Xhemaili

Falenderimet i takojnë Allahut.Krijuesit të botërave Vetëm Atij i falemi dhe vetëm Atij i kërkojmë ndihmë, që të na udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e së vërtetës.I falenderohemi Allahut Fuqiplot që na ka bërë myslimanë besimtarë,dhe që na bëri ummeti i Pejgamberit Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin me të), i fundit pejgamber dhe i dërguar i Tij.Salatet dhe selamet qofshin mbi krijesën më të mirë Muhammed mustafan dhe familjen e tij të pastër,dhe mbi as-habët e zgjedhur.Allahu xh.sh qoftë i kënaqur me ne dhe me ata.
Vëllezër besimtarë!
Allahu Fuqiplot në Kur-an thotë: “E kjo, kjo është rruga ime e drejtë. Prandaj mbajeni këtë dhe mos pasoni rrugë të tjera, e të ndaheni nga rruga e tij”. (el-En'âm, 153)
Gjithashtu thotë:“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë”. (Maide, 2)
Vëllezër besimtarë!
Sot jemi në xhumanë e tretë të muajit ramazan,pra në këtë muaj na mbetet edhe xhumaja e katërtë e fundit.Sot pra jemi duke agjëruar ditën e 19-të, të këtijë muaji.Pra që donë të thotë se gjendemi në dhjetë ditët e fundit të muajit të bekuar.Pejgamberi s.a.v.s. në këto ditët e fundit mundoheshte dhe bënte më shumë vepra te mira sesa në ditët tjera, për çka na njofton H.Aisheja r.anha. dhe thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse ne ditët tjera". (Muslimi)
Këto dhjetë netët e fundit i ngjallte me ibadete të shumta,si me namaz,me dhikr,me lexim të kur'anit,etj. H.Aisheja na tregon për këtë e thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit,i ngjallte netët (me ibadete),zgjonte familjen e tij prej gjumi,përpiqej (për ibadete të shumta),dhe shtrëngohej (për ibadet) si dhe largohej nga marrëdhëniet intime me gratë (e veta) ". (Muslimi)
Gjate këtyre netëve e zgjonte familjen e vet qe te falen dhe ta përkujtojnë Allahun Fuqiplot,nga dëshira e madhe për t'i shfrytëzuar në punë te hajrit këto net.
Ibni Rexheb El Hanbeliu ka thënë: ”Kur vinte dhjetëshi i fundit, Pejgamberi s.a.v.s., çdo anëtar të familjes së tij që kishte mundësi për t'u falur nuk e linte pa e zgjuar prej gjumit".
Pejgamberi s.a.v.s.kishte vazhduar te qëndronte ne i'tikaf gjate këtyre dhjetë ditëve derisa i kishte ardhur vdekja.Në dy zbirkat e vërteta të haditheve (Buhariut dhe Muslimit),nga Aisheja tregohet se: “Pejgamberi s.a.v.s. qëndronte ne I'tikaf gjatë dhjetëshit te fundit të Ramazanit derisa ia morri shpirtin Allahu xh.sh,ndërsa pas vdekjes se tij,gratë e tij qëndronin në i'tikaf".
Këtë nuk e bënte për tjetër gjë përveçse për t'u veçuar për ibadet-adhurim, për tu larguar prej problemeve ditore,si dhe për ta kërkuar Natën e Kadrit, këtë natë të madhe,e cila tek Allahu xh.sh. është më e vlefshme se sa një një mijë muaj.
Thotë Allahu xh.sh.në suren El-Kadër ajeti 3,: “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! (Kadër 3)
Kjo natë është shumë e vlefshme e rëndësishme dhe shumë e bereqetshme nga se në këtë natë filloi zbritja e Kur’anit famëlartë,melaiqet zbresin në qiellin e dunjas ,në tokë rreth njerzve.Zbresin për shkak se Zoti përcakton çdo çështje të vitit,e Ai nuk përcakton tjetër pos atë që është në të mirë të njerzve.
Në atë natë caktohen caktimet e krijesave për tërë vitin; shkruhen të gjallët dhe te vdekurit (caktohet kush lind e kush vdes),të lumturit e të dëshpëruarit,caktohet rizku (furnizimi) dhe exhelet.
Thotë Allahu xh.sh,“Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.".(Duhan 4)
Vëllezër besimtarë! Duhet dhe e kemi borxh ta pasosojmë pejgamberin tonë të dashur dhe të angazhohemi sa ma shumë gjatë këtyre ditëve dhe netëve me ibadete e vepra të mira.
Duhet ti shpeshtojmë duatë-lutjet tona,dhikrin,përuljen,sexhden e sidomos duanë,të cilën Pejgamberi s.a.v.s. ia mësoi h.Aishes r.anha kur ajo e patë pyetur: “O i dërguari i Allahut! Më trego nëse unë e dijë për një natë se ajo është Nata e Kadrit çfarë të lexojë në te?Pejgamberi i tha: Thuaj:“O Allahu im! Ti je Falës, e do faljen andaj më fal mua!!! (Ahmedi)
Në fundë të hutbes i drejtohemi Allahut Fuqiplot me lutje: “O Allahu ynë! Na mëshiro na begato dhe na beko për agjërimin e Ramazanit dhe na e mundëso faljen e gjynaheve në te,e sidomos faljen gjatë Natës së Kadrit dhe na bën fitimtarë dhe të pranuar pranë mëshirës Tënde të pakufijshme!Amin.

e hënë, 15 shtator 2008

Xhelal ef. Xhemaili:"Ramazani-Xhumaja e dytë"

Ramazani-Xhumaja e dytë
Hutbe: Nga Xhela ef. Xhemaili
Në fillim të hutbes i falemenderohemi Allahut xh.sh.Krijuesit të gjithësis.Shpëtimi dhe paqa e Allahut xh.sh qoft mbi pejgamberin Muhammedin s.a.v.s. poashtu mbi familjen e tijë të pastërt dhe mbi shokët as-habët e tijë të sinqert,si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekën dhe do ta ndjekin rrugën e resulullahit deri në ditën e gjykimit.Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me ne dhe me ata.Vëllezër besimtarë! Allahu xh.sh. në Kur’an në suren Ali Imran ajeti 191 thotë:
“Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendimie rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë):Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruanaprej dënimit të zjarrit.” (Ali Imaran-191)
Vllezër besimtarë! Ditët e shkëlqyeshme dhe të shëndritshme,të cilët po i kalojmë,janë ditët kur muslimani sinqerisht mendon,janë ditët e ibadetit lutjeve dhe dhikrit.Kët muaj muslimanët e lartësojnë duke kënduar dhe duke ndëgjuar Kur’an dhe duke ndëgjuar vazu-nasihat për islamin dhe për bukurit e tijë të mrekullueshëm.
Vllezër besimtarë! Ramazani ndahet në tre pjesë,pjesa e parë,apo dhjet ditët e para janë mëshirë-rahmet i Allahut për njerzit.Dhjetë ditët e mesme janë magfiret –të falurit e gjynaheve nga ana e Allahut xh.për ne.Kurse dhjet ditët e fundit-mbarimi i Ramazanit është shpëtimi apo lirimi nga zjari i xhehennemit.
Vllezër besimtarë! Ramazani neve besimtarëve na i gjallëron shpirtërat dhe na i përforcon edhe më tepër zemrat tona,ne besimtarët bëhemi më të kujdesshëm sepse çdo punë të mirë që e bën besimtari në kët muaj shpërblehet nga Allahu xh.sh.shumfishë.Namazi që falet,Sadekatul-fitrat që ipen,poashtu, nga malli që jipet Zekat ,aty ku janë të porositur me Kur’an,sjellja e mirë humane në familje,sjellja e mirë me kojshit dhe në shoqëri,të gjitha këto na sjellin fitime-dobi të shumëfishta,nga ana e Allahut xh.sh.Vllezër besimtarë! Secili prej nesh ka mundësi të bën mirë sipas mundësive të veta,vetëm nëse dëshirojmë.Prandaj edhe duhet ti falemenderohemi Allahut xh.sh. që na ka bë muslimanë,dhe duhet të jemi krenar dhe të kënaqur nëse na ipet mundësia që dikujtë që ka nevojë ti ndihmojmë.Pejgamberi Muhammedi a.s. në një hadith thotë:”Të mira ka shumë,por të paktë janë ata që i punojnë”.
Vllezër besimtarë ! Kur është fjala për ndihmat materijale siç janë Sadekatul-fitri dhe Zekati është shumë me rëndësi se ku do të shpërndahen dhe për çfar qëllimi,sepse Zekati dhe Sadekatul-fitri janë detyra-obligime të domosdoshëm me karakter fetar-islam,dhe nuk mundë të ipen apo të shpërndahen ashtu neve si na mer mendja.
Vllezër besimtarë! Cdo njëri prej nesh duhet të mundohemi që të mbledhim sa ma shumë poena-pozitivë (pun të mira), sidomos në ket muaj të bekuar,dhe sa jemi gjallë në ket botë kalimtare,se nesër dot bëhet shumë vonë,nuk dot kemi mundësi,sepse në momentin e fundit të vdekjes secili do ti bëje lutje-dua Allahut xh.sh. që tia zgjate imrin-jetën edhe pak,por kot atëher dot jetë vonë.Prandaj vllezër besimtarë! Mos ta sjellim veten deri në këtë hallë,por duhet sa ma parë të bëjmë teobe-pendim të vërtetë,dhe gjithëher të punojmë ashtu si lyp feja islame prej nesh.Në fundë të hutbes e lus Allahun xh.sh. që të na mbron nga çdo gjë e keqe,dhe të na mbrojë nga shejtani i mallkuar,dhe inshaallah Allahu xh.sh. na i bën kabull të gjitha këto ibadetet që jemi duke i kryer vetëm për hir të Tijë.Amin !.

e diel, 7 shtator 2008

Xhelal ef. Xhemaili:"Ramazani-Xhumaja e parë"

Ramazani-Xhumaja e parë

Hutbe: Nga Xhelal ef. Xhemaili

Në radhë të parë nga ky vendë i falemenderohemi Allahut xh.sh.krijuesit të gjithësis.Salati
dhe selami (shpëtimi dhe paqa ) e Allahut xh.sh. qoftë mbi të dërguarin e fundit Muhammed mustafan vulën e të gjithë pejgamberëve.Gjithashtu edhe mbi familjen e tijë të pastër dhe mbi shokët As-habët e tij të zgjedhur Allahu xh.sh.qoft i kënaqur me ne dhe me ata.
Të dashur vëllezër besimtarë!
Është fat dhe bereqet i madh që po takohemi përsëri me muajin e bekuar,me muajin e mëshirës,të bereqetit dhe të sakrificës,me muajin e faljeve të gjunaheve,me muajin në të cilin filloi shpallja e librit të shenjtë,Kur’anit Famëlartë.
Allahu xh.sh. në Kur’an në ajetin 183 të sure El-Bekare thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
Ajetin Kur-anor që e lexuam Allahu xh.sh. na drejtohet neve besimtarëve dhe thotë: ”O ju të cilët keni besuar është shkruar për ju agjërimi siq ka qenë shkruar për njerzit e mëparshëm,në mënyrë që të jeni Takva-devotshëm”.
Gjithashtu edhe hadithi i pejgamberit s.a.v.s. të cilin hadith e transmeton Ibni-Omeri,i cili thotë se Muhammedi a.s. ka thënë: “Islami themelohet në pes shtylla,ato janë:
1.Shehadeti-dëshmija se nuk ka zot tjetër,përveq Allahut…
2.Falja e namazit,3.Agjërimi i Ramazanit,4.Dhënja e Zeqatit,dhe 5.Haxhxhi.
Vllezër besimtarë!
Nga ajeti Kur-anor poashtu edhe nga hadithi i Pejgamberit s.a.v.s kuptojm se Allahu Fuqiplot na e ka bërë farz agjërimin e këtij muaji të shenjtë të bekuar.Për ate edhe ne si besimtarë të vërtet duhet kët obligim-farz të islamit ta kryejmë me sinqeritet,dhe me nder ta agjërojm ashtu si duhet dhe si lyp Allahu Fuqiplot nga ne.
Ky muaj vllezër ka ardhur që neve muslimanëve të na rripërtrije shpirtërisht,dhe të na edukoje moralisht,prandaj ne duhet ta e shfrytëzojmë ket muaj të bekuar,duke kryer ibadete të ndryshme: 1)duke agjeruar,2) duke falë namaz,3)duke bërë tespih,4)duke e madhëruar Allahun xh.sh.,dhe çka është ma me rëndësi duhet dhe e kemi për borxh të ju largohemi të gjitha cilësive-sifateve të këqija,nëse dëshirojm që ket agjërimin tonë të na e pranojë Allahu xh.sh.
Këtë e vërteton Muhammedi s.a.v.s. në një hadith të tij dhe thotë: ”Ai i cili nuk e le renën dhe punën e keqe si dhe injorancën-paditurin,Allahu nuk ka nevojë për të,që ai ta len ushqimin dhe pijen.(të agjëroje)”.
Vëllezër besimtarë! Duhet ta shfrytëzojmë çdo orë të këtij muaji, ta forcojmë besimin tonë, t’i kryejmë obligimet ashtu siç ka porositur Allahu i Madhërishëm.Të fillojmë me veten tonë,t’i kushtojmë rëndësi anës së jashtme në përgjithësi dhe asaj shpirtërore në veçanti.Të ruhemi nga çdo e metë,të kemi kujdes se si te veprojmë me gjymtyrët tona,ku shkojmë,çfarë hamë,çfarë flasim,dëgjojmë, shikojmë,shkelim,të gjitha këto hynë në llogari Ditën e Gjykimit.Ajo që na duhet gjatë këtij muaji është ndryshimi i vetes sonë e më pas t’i këshillojmë të tjerët.
Vëllezër besimtarë!
Në fundë, e këshilloj veten time e pastaj edhe juve se gjëja më kryesore gjatë këtij muaji është sabri;vetëm duke bërë sabër sigurojmë edhe shpërblimet mbi kryerjen e ibadeteve tona.Po ashtu,të përpiqemi maksimalisht që gjatë këtij muaji ta përmirësojmë veten tonë,fëmijët tanë,familjen tonë,të afërmit tanë kështu që të përfitojmë nga të mirat që sjell ky muaj.Duhet të mobilizohemi me moral të mirë dhe me kulturë të lartë të agjërimit pa marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe rrethanat.Të jemi të durueshëm.Të falemi dhe të punojmë ashtu siç ka porositur Krijuesi i kësaj gjithësie Allahu xh.sh.Dhe në fund, lusim Allahun e Plotfuqishëm të na i falë gjunahet tona dhe të na bëjë prej besimtarëve të mirë,durimtarëve dhe të jetë i kënaqur me agjërimin dhe ibadetet tona! Amin!
Hutbe: Nga Xhelal ef.Xhemaili

e enjte, 4 shtator 2008

Xhelal ef. xhemaili:"Pajisja jonë me cilsi të mira dhe menjanimi i të këqijave"

Pajisja jonë me cilsi të mira dhe menjanimi i të këqiave

Hutbe: Nga Xhelal ef. Xhemaili


Në fillim të hutbes i shprehim falemenderimet dhe lavdërimet tona të sinqerta Krijuesit të gjithësis Allahut të Madhërishëm.Salatet dhe salamet,shpëtimi dhe paqa e Allahut Fuqiplot qoft mbi pejgamberin tonë Muhammedin s.a.v.s. poashtu mbi familjen e tijë të pastërt dhe mbi shokët as-habët e tijë të sinqert,si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekën rrugën e resulullahit dhe do ta ndjekin deri në ditën e gjykimit.Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me ne dhe me ata.
Vëllezër besimtarë! Besimtari së pari turpërohet nga Allahu xh.sh. sepse e din se gjithnjë e ka nën mbikqyrje, prandaj edhe turpërohet që të bëjë mëkate dhe t’i lënë pa i kryer urdhërat e Tij.
Thotë Allahu xh.sh. në ajetin 108 të sures En-Nisa: “Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, e nuk turpërohen prej All-llahut, e Ai është me ta edhe kur planifikojnë fshehtas thënie me të cilat nuk është i kënaqur Ai. All-llahut nuk mund t'i shpëtojnë veprimet e tyre”. (en-Nisa, 108)
Vëllezër besimtarë! Gjatë muajit të bekuar të ramazanit kemi tepër nevojë që të furnizohemi dhe të posedojmë shumë cilsi të mira dhe në anën tjetër duhet ti menjanojmë nga ne shumë cilsi të këqija.Këtë e kemi pra për obligim fetar sepse në të kundërtën agjërimi ynë nuk do të pranohet te Krijuesi ynë Allahu xh.sh.
Për fat të keqë në mjediset tona ku jetojmë ne muslimanët hasim në shumë cilsi të dobëta e sa u përket cilsive të mira është shumë vështirë që ato ti gjejsh.
Vëllezër besimtarë! Muslimani në çdo kohë duhet patjetër të jetë mirë i pajisur me cilsi të mira,e sidomos në kohën e muajit të bekuar të ramazanit,i cili këtë e lypën nga ne,sepse në të kundërtën kot kemi ndejtur pa ngrënë dhe pa pi,sepse Allahu i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për agjërimin tonë,që kryhet sa për sy e faqe.
Pra kur të agjërojmë muajin e bekuar të ramazanit,duhet dhe kemi nevojë që të posedojmë disa cilsi të mira dhe ti menjanojmë disa cilsi shumë të dëmshme,të cilat do ti përmendim në vazhdim.
a. Cilsitë e mira që duhet ti posedojmë gjatë ramazanit janë:
1.Sabri-durimi
2.Drejtësia
3.Sinqeriteti
4.Butësia
5.Maturia
6.Falja
7.Turpi
8.Rahmeti-mëshira.
b. Cilsit e këqia që duhet ti largojmë gjatë ramazanit janë:
1.Rrena
2.Kryelartësia
3.Hidhërimi
4.Urejtja
5.Tradhtia
6.Zullumi
7.Sharja dhe ofendimi
8.Fitneja-shpifja
9.Gibeti-përgojimi,etj.

Sa u përket cilsive të mira,Allahu i Madhërishëm dhe pejgamberi ynë i dashur Muhammedi s.a.v.s. në shumë ajete dhe në shumë hadithe na e kanë bë të qartë vlerën, domethënjen dhe dobin nga këto cilsi të mira që ka muslimani.
Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. në ajetin 43 të sures Esh-shura thotë:“Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm)”. (esh-Shura, 43)
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Durimi është gjysma e besimit” (Hadith)
Durimi është shenjë e besimit të sinqertë, sepse caktimin e Allahut e përjeton me durim vetëm ai që beson në Zotin, e din urtësinë e Tij dhe që e dëshiron shpërblimin e Tij në këtë dhe në botën tjetër.
Durimi bën që muslimani të veprojë drejt në çdo situatë. Me ndjenja të vazhdueshme dhe zemër të qetë tu përballojë të gjitha problemeve jetësore dhe ashtu të ngrihet në grada të larta shpirtërore e materijale. Njeriu që është i durueshëm e zbukuron veten e vetë edhe me cilsi tjera të dobishme.Kështu ai që me durim i sundon epshet e veta quhet i ndershëm,po që se duron kur ndeshet me armikun quhet trim dhe hero, po qe se duron kur i besohen sekretet dhe nuk i shpalos quhet besnik.Këto cilësi të mirëfillta e sidomos Sabri lypet më së shumti te besimtari në kohën kur ai është i agjërueshëm.

Ndërsa për sa u përket edhe cilsive tjera të mira kur është pyetur vetë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. se çka i shpie më së shumti njerëzit në Xhennet, ka thënë: “Devotshmëria ndaj All-llahut dhe karakteri i mirë”.(Tirmidhiu)
“Më i ploti besimtar me iman është ai që është më i mirë në moral”. (Tirmidhiu)
“Asnjë send nuk do të jetë më i rëndë në peshojën e besimtarit në Ditën e Gjykimit sesa karakteri i mirë. Dhe, vërtet, All-llahu e urren të pamoralshmin dhe fjalëndytin”. (Tirmidhiu)
Kurse sa u përket cilsive të këqia Allahu xh.sh. në ajetin 12 të sures El-Huxhurat thotë:
“Dhe mos spiunoni njëri-tjetrin e as mos përqeshni njëri-tjetrin! A do dikush prej jush të hajë mishin e vëllaut të vet të vdekur? Ju atë e dini se është shumë keq-prandaj, ruajuni Allahut; Allahu vërtet pranon pendimet dhe është shumë i mëshirshëm”. (el-Huxhurat, 12)
Pejgamberi s.a.v.s.thotë: “Kush beson në Allahun dhe dhe në Ditën e gjykimit, le të flet mirë ose le të heshtë” (Muttefekun alejhi)
Duhet të dimë se secili ka dobësit e veta dhe gjunahet e veta dhe duhet të punojë që këto dobësi apo të meta t’i menjanoje e jo të merret me të metat dhe të këqiat e tjetër kujt.
Gjithashtu Allahu xh.sh. në ajetin 11 të sures El-Huxhurat thotë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë”. (el-Huxhurat, 11)
Njëher është pyetur Pejgamberi a.s. se ku është shpëtimi dhe ai ka thënë: “Zotëro me gjuhën tënde, rri në shtëpinë tënde dhe qaj për mëkatet tua”. (Tirmidhiu)

Vëllezër besimtarë! Pra sipas këtyre ajeteve Kur’anore dhe këtyre haditheve të pejgamberit s.a.v.s. duhet dhe e kemi për obligim të pajisemi me cilsi të mira nëse ato na mungojnë,e gjithashtu duhet ti largojmë nga ne të gjitha ato cilsi të këqia nëse ato rastësisht i posedojmë.
Pra menjifjalë duhet çdo herë të sillemi mirë me njerëzit qofshin ata musliman apo jomusliman e posaçërisht në këtë muajin e bekuar të ramazanit.
Andaj nuk është aspak e çuditshme kur All-llahu xh.sh. pejgamberit s.a.v.s. i thotë,në disa ajete që do ti përmendim në vazhdim,
"Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt". (Fussilet: 34).
Gjithashtu ajeti tjetër.. "Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, …". (Ali Imran: 159). Ose rasti kur pejgamberi shkoi në Taif për të gjetë strehim dhe për ta e përhap islamin.Njerzit e Taifit jo që nuk e pritën mirë,por përkundrazi organizuan fëmijtë e tyre qa ta gjujnë pejgamberin me gurë,deri sa e përgjakën.Dhe pejgamberi ashtu i përgjakur më në fundë u ulë te nji kopshtë dhe në vendë që ai ti mallkojë pabesimtarët,ai iu drejtua Zotit dhe iu lut me këtë lutje: „O Zoti im,udhëzoe këtë popull,sepse janë të pa ditur“.
Kjo sjellje e Pejgamberit,s.a.v.s. tregon nivelin e lartë të moralit të tijë, sjelljes së mirë,butësisë,faljes,durimit ndaj dëmtimeve të njerëzve,falja e sjelljes së vrazhdë të njerëzve ka ndiku me të madhe në zbutjen e zemrave të tyre dhe kjo ka ndiku shumë në pranimin e islamit nga shumë armik.
Vëllezër besimtarë! Kjo sjellje e mrekullueshme e pejgamberit s.a.v.s. le të jetë shembull për ne muslimanët e sodit. Dhasht Zoti të bëhemi edhe ne prej atyre të cilët do ta ndjekim rrugën e Muhammedit s.a.v.s,dhe shokëve të tijë,e të thirim edhe ne në rrugën e Allahut xh.sh.E lusim Allahun xh.sh. që të falë mëshirë mbi neve mbi prindët tanë dhe mbi gjithë ata që e ndjekën dhe do ta ndjekin rrugën e drejtë deri në ditën e gjykimit.Allahu xh.sh. inshaallah na udhëzon në rrugë të drejtë.Amin.
Hutbe: Nga Xhelal ef. Xhemaili

e hënë, 1 shtator 2008

Xhamia e Sedllarcës- U R I M E,muajin e bekuar

VËLLEZËR MUSLIMAN !

PËR HAJR MUAJIN E BEKUAR TË RAMAZANIT

( muaji i Kur'anit,muaji i mëshirës,muaji i faljes së gjynaheve,muaji i humanitetit ).