e diel, 8 nëntor 2009

Hapet godina e re e Paraleles së Shtrirë për vajza e Medresesë Isa Beu


BFI investon në arsimimin e femrës muslimaneTë shtunën më datë 31 Tetor 2009, pas një punë pesë vjeçare të Paraleles së Shtrirë të vajzave të Medresesë Isa Beu në Tetovë, u lëshua në përdorim godina e re, e cila gjeneratave të reja do tu mundëson kushte më të volitshme për ndjekjen e procesit edukativo-arsimor. Ashtu siç theksoi Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të RM, H. Sulejman ef. Rexhepi, kjo ndërtesë në vitet në vijim do të shërbejë për arsimimin e nënave të ardhshme të Kombit.
Në praninë e mysafirëve të shumtë, si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë dhe prezencën e shumtë të mediumeve, nxënëset e kësaj Paraleleje kishin përgatitur një program të begatë. Të pranishëm ishin përfaqësues të Kishës Ortodokse Maqedonase, përfaqësues të Mbretërisë së Arabisë Saudite, përfaqësues të përfaqësive diplomatike në vend, të Komunës së Tetovës, muftij nga gjitha muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame, hoxhallarë, prindër, nxënës, e dashamirë të shumtë të Islamit.
Fillimisht programi u hap me leximin e asheres, e më pas profesor Bahri Aliu mbajti një fjalim mbi ecurinë e punës së Medresesë - Paraleles në Tetovë. Më pas fjalën e rastit e mori Drejtori i Medresesë Isa Beu, profesor Ibrahim Idrizi, i cili foli për sfidat e kësaj medrese dhe për planet që ka kjo medrese në të ardhmen.
Muftiu i Muftinisë së Tetovës, pasi i përshëndeti të pranishmit, u falënderua tek të gjithë që kanë dhënë kontributin për hapjen e kësaj paraleleje. Ai nga zemra falënderoi Reis ul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për gjithë përkrahje që e ka dhënë gjatë formimit të Medresesë, si dhe investitorin z.Ozkan Goksal, i cili ekskluzivisht ka bërë të mundur që me mjete financiare të bëhet ndërtimi i godinës së re. Mufti Alifikri Esati, gjithashtu Falënderoi edhe ish-Kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Hazbi Lika, për gjithë ndihmën që ia ka dhënë Muftinisë së Tetovës gjatë kohës kur ai ishte kryetar, si dhe Kryetarin aktual të Komunës së Tetovës, z. Sadi Bexheti, për ndihmën dhe përkrahjen e tij ndaj këtij institucioni.

Më tej fjalën e rastit e mori investitori-donatori, z. Oskan Goksal, i me emocione të mëdha shpjegoi se si lindi ideja për ta ndihmuar ndërtimin e një shkolle të tillë. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë që ndodhej në mesin e një ambienti, ku ishin të pranishëm përfaqësues të gjitha gjeneratave. Z. Oskan gjithashtu Falënderoi Reis ul Ulemanë dhe Muftiun e Tetovës të cilët ia mundësuan atij që të kontribuon me një vepër të tillë, për krijim dhe pasurimin e Vakëfit në Rumeli - Maqedoni.
Më pas, fjalën e rastit e mori Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili të pranishmëve iu drejtua në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe arabisht. Ai i përshëndeti mysafirët e pranishëm, nga gjitha viset e vendit, përfaqësuesit e KOM-it, dhe përfaqësuesit e Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilët në këtë manifestim erdhën si mysafirë të Reis ul Ulemasë. Kreu i BFI-së foli rreth rëndësisë së arsimimit të gjeneratave të reja dhe posaçërisht rëndësisë së arsimimit të femrës myslimane në vend.
Pas përfundimit të fjalimit (i cili vijon më poshtë), të pranishmit u drejtuan kah hyrja e godinës, me ç'rast Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi bashkë me donatorin z. Oskan Goklsal prenë shiritin e hapjes së kësaj godine, me ç'rast e shpallën të hapur këtë objekt në të cilin do të arsimohen "Nënat e ardhshme të Kombit", ashtu siç theksoi H.Sulejmani, në fillim të fjalimit të tij.Pasi mysafirët vizituan ambientet e godinës dhe njoftuan më nga afër me kushtet e krijuara në këtë Paralele, bënë faljen e Namazit në xhaminë e Abarati Teqesë, ku edhe u shtrua një drekë për të gjithë të pranishmit.
Në vazhdim vijon fjalimi që e mbajti Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi para të pranishmëve.
Përshëndetje të nderuar mysafirë, të respektuar Muftij dhe punëtorë e bashkëpunëtorë të Bashkësisë Fetare Islame, Drejtor i Medresesë Isa Beu dhe profesorë e nxënës të këtij institucioni..Më lejoni që fillimisht në emrin tim personal dhe në emrin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë tu përshëndes me përshëndetjen absolute Islame Eselamu Alejkum...Vërtetë është një kënaqësi e veçantë që sot ndodhemi në këtë objekt, të përfunduar të Medresesë - Paraleles së Shtrirë për vajza, ku në vitet në vijim do të arsimohen nënat e ardhshme të KombitPër shumë nga ju, janë të njohura sakrificat me të cilat janë përballur punëtorët e Bashkësisë Fetare Islame bashkë me besimtarët tanë nga vendi e nga jashtë, për të vendosur themelet e diturisë nën këtë nënqiell. Investimi në diturinë është edhe investim për ardhmërinë.
Ashtu siç na mëson Kur'ani i Pavdekshëm, Islami të gjithëve na fton në dituri, se vetëm të ditur mund tu bëjmë ballë sfidave të këtij shekulli.Në këtë relacion jo-rastësisht Allahu Fuqiplotë Muhamedin a.s. ia rekomandoi një dua parimore: Thuaj (o Muhamed) O zot ma shto diturinë. Dhe jorastësisht ajejtet e para Kuranore ishin:" Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi, Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur ! Lexo, se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte." (El- Alek: 1-5)Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo muslimani. Prandaj falë besimit të palëkundur në Allahun Fuqiplotë dhe sakrificave e angazhimeve të brezave tanë, ne po krijojmë hapësirë dhe mundësi që kjo dituri të përçohet nga brezi në brez. Islami është feja përmes së cilës njerëzimi pranon udhëzimet përfundimtare nga Krijuesi i gjithësisë, duke e aftësuar për mëkëmbës të tij në tokë. Kur'ani i Pavdekshëm vlerëson lartë jetën njerëzore dhe insiston në civilizimin duke bërë thirrje në dituri. Jo rastësisht fjala dituri dhe të tillat që kanë të bëjnë me të, në Kur'anin e Pavdekshëm hasen mbi 780 herë. Ajetet e para me të cilat filloi shpallja e Kur'anit ishin pikërisht mbi rëndësinë e leximit, penës dhe diturisë:
Kur'ani i Pavdekshëm thotë se ata që dinë, nuk janë njëlloj me ata që nuk dinë:"...Thuaj:"A janë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë...?"( Ez- Zumer:9)Në këtë drejtim kemi edhe hadithe të shumta, ndër të cilat është edhe kjo:" Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr."
Apo " Ngjyra e pendës së dijetarit do të peshohet me gjakun e dëshmorëve në Ditën e Ringjalljes; dhe pastaj, ngjyra e pendës së dijetarëve do të parapëlqehet më shumë se gjaku i dëshmorëve."Sipas fesë islame, respektivisht Kur'anit dhe Sunetit të Muhamedit a.s. rëndësia e shkencës dhe diturisë është e përhershme. Duhet theksuar se me gjithë rëndësinë që ka mësimi i shkencës dhe i teknologjisë, ato nuk konsiderohen të mjaftueshme në vetvete dhe muslimanët duhet, përveç se të ngrënë standardin e tyre në fushat materiale dhe shkencore, të kenë besim të fortë dhe të ndjekin parimet fetare për të përmbushur qëllimet e tyre.
Muslimanët duhet të përgatiten dhe të pajisen në çdo drejtim dhe meqë sot, shkencat eksperimentuese luajnë një rol themelor në çdo aspekt të jetës materiale, fuqizimi i kësaj përmase të politikës islame është domosdoshmëri. Prandaj Bashkësia Fetare Islame, me gjitha mundësitë e saja që i ka, po përpiqet të krijon qendra për të edukuar dhe arsimuar brezat e rinj. Për këtë u jemi mirënjohës të gjithë njerëzve dhe besimtarëve me vullnet të mirë. E sidomos për këtë objekt në të cilin po e inaugurojmë sot, i jam mirënjohës dhe falënderuar në emrin ti personal dhe në emrin e Bashkësisë Fetare Islame, bamirësit - donatorit OSKAN GOKSAL, i cili me investimin e tij ekskluziv, ka kontributin në ndërtimin e kësaj ndërtese. Sipas parimeve Islame, Ky është investimi më i çmueshëm që mund ta bëjë një njeri dhe vetëm Zoti mund ta shpërblen një vepër të tillë me shpërblimet e tij më të çmuara që i ka Madhëria e Tij... Ndërsa ne i lutemi Allahut të plotfuqishëm, ta rruan donatorin OSKAN GOKSAl, ti jep shëndet atij dhe familjes së tij dhe dhëntë Zoti që edhe në të ardhmen të jep kontribut në investime të ngjashme të cilat njëherit janë edhe më të çmueshmet. Në jetën e amshueshme Allahu e shpërbleftë me xhenet Dhe kur jemi te rëndësia e diturisë, dua të theksoj se në këtë përpjekje, edhe Medreseja Isa Beu, me hapjen e kësaj paraleleje, po vendos themelet e njohurive themelore të Islamit dhe e përgatit femrën muslimane për edukimin superior.
Më lejoni që me këtë rast tu përkujtoj një fjalë të urtë të popullit, e cila thotë: "Dora që e përkund djepin, e edukon edhe Kombin". Në këtë solemnitet nuk duhet ti harrojmë as mësimet e Muhammedit a.s. i cili ka thënë:
"Dituria është pasuria e humbur e një besimtari; prandaj, kërkojeni atë edhe po të jetë në duart e politeistëve.""Besimtari është gjithmonë në kërkim të urtësisë, kudo që ta gjejë atë, ajo është e tij, sepse ai e meriton ta ketë atë me shumë se kushdo tjetër." Më lejoni që krejt në fund ta shpalli të hapur këtë Paralele të re të Medresesë dhe në emrin e të gjithëve të pranishmëve këtu, nxënëseve që do të marrin diturinë nga këto banka, tu dëshiroj sa më tepër suksese, në mësime, në hulumtime të mirëfillta, me qëllim që të pajisen me sa më tepër dituri që në të ardhmen të bëhen shtyllë e fortë e familjeve tona. Gjithashtu i lus edhe profesoreshat e nderuara që njohuritë e tyre ti ndajnë bashkë me nxënëset dhe gjithmonë të jenë pranë tyre kur të kenë nevojë, me qëllim që ky vit shkollor të jetë sa më i suksesshëm dhe i bereqetshëm.Zoti ju shpërbleftë dhe qofshi të bekuar.

bim.org.mk
05.11.2009.islamgjakova.net