e diel, 20 korrik 2008

Xhelal ef. xhemaili: "Tevbeja-pendimi"


Hutbe: “Tevbeja-pendimi”
Falenderimet i takojnë Allahut,Zotit të botërave.Vetëm Atij i falemi,Atij i nënshtrohemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë,që të na udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e së vërtetës.I falemenderohemi Allahut që na ka bë besimtarë,dhe që na bëri ummeti i Pejgamberit Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin me të).Salatet dhe selamet qofshin për Muhammed mustafan,familjen e tij fisnike,mbi as-habët,dhe mbi të gjithë ata që e ndjekën dhe do ta ndjekin rrugën e pejgamberit s.a.v.s. deri në ditën e gjykimit.
Vëllezër besimtarë!
Allahu i Madhëruar në një ajet Kur’anor thotë: "O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." (El-Ahzab:70:71)
Kur’ani a.m. në shumë vende,por edhe shumë hadithe të pejgamberit s.a.v.s qart na tregojnë se Allahu xh.sh. njeriun e ka krijuar ia dha formën më të përsosur dhe më të bukur dhe mendjen për t’i bë respekt,apo nderim Allahut xh.sh,Krijuesit të botërave,dhe për t’ia aritur këtijë qëllimi njeriut i duhet feja e cila është ushqim shpirtëror për njeriun.
Vëllezër besimtarë!
Allahu xh.sh. na thirën neve për në rrugë të drejtë me anë të së cilës fitohet edhe xhenneti nëse e ndjekim atë,dhe Allahu xh.sh. thotë në Kur’an: “All-llahu thërret për në Xhennet, dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë.”(Junus,25)
“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (Xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi as nënçmimi, ata janë banues të Xhennetit, aty janë përgjithmonë.”(Junus,26)
“E ata që bënë të këqia, dënimi i së keqes është aq sa është ajo, ata i mbulon poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga All-llahu, fytyrat e tyre, porsi t’i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës. Ata janë banues të përjetshëm të zjarrit.”(Junus,27)
E vërtet është se me gjithë krejtë çka na ka dhënë Allahu neve don të na e lehtësojë,dëshiron ndaj neve të jetë i mëshirshëm dhe fisnik,mirëpo një numër bukur i madhë nga njerëzit nuk duan t’i përgjigjen, nuk duan t’i përmbahen asaj që Allahu e ka parapa dhe prandaj bien në shkatërim,enden rrugëve të gabuara,njëri tjetrit i bëjnë zullum dhe padrejtësi në mënyra të ndryshme.Edhe përkundër devijimit të tyre thirja e besimit gjithnjë i thëret që t’i kthehen Krijuesit të tyre.Kënaqësia e Allahut, për shkak të kthimit të njeriut të humbur te Ai, është e papërshkruar.
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “All-llahu më tepër gëzohet për pendimin (tevben) e robit të vet kur të pendohet, se ndonjëri prej jush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë, e i humbet, kurse me të edhe i tërë uji dhe ushqimi, e kërkon por e humb shpresën për ta gjetur, pastaj vjen nën një lis dhe nga lodhja shtrihet nën hijen e tij me shpresë të humbur, dhe duke qenë në këtë gjendje, e sheh devenë e vet duke qëndruar përpara tij, ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh bërtet: “O Zoti im! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt” duke u shprehur gaboi nga gëzimi i fortë”. (Muslimi)
Vëllezër besimtarë!
Nuk ka njeri pa gabime,sepse njeriu është sikur një puntor që punon në mulli ose në fabrikën e çimentos,dhe nuk ka shansë që ai mos të zhytet me pluhurin e miellit apo çimentos.Prandaj mos ta humbim shpresën tek Allahu xh.sh,por të mbledhim fuqi dhe sa ma parë sa nuk është bërë vonë të bëjmë tevbe-pendim,sepse dyert e teobes gjithnji janë të hapura te Allahu xh.sh. për njerëzit.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t'u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t'ju ndihmojë”. (Zumer, 53-54)
Këtij pendimi nuk guxon të i mungon nijeti i sinqertë njëashtu vendosmëria dhe vullneti i flaktë,pas të cilës njeriu nuk guxon përsëri të kthehet në paregullsi morale dhe erësirë prej të cilës ka dalur.Por duhet të jetë nji kthim triumfal të cilit i gëzohet Allahu xh.sh. dhe njiherit është edhe fitore e njeriut mbi dobësitë e veta, t’i shkulë rënjët e gjinaheve dhe pasioneve të veta dhe të marë një drejtim të imanit, bamirsisë dhe rrugës së drejtë.
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Mendjemprehtë është ai që e kontrollon vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, kurse kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t'ia falë”. (Tirmidhiu)
Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi, se tevbeja (pendimi dhe largimi nga gjunahet) është obligim i fortë islam (vaxhib). Nëse mëkati ka të bëjë vetëm me All-llahun e jo edhe me të drejtën e ndonjë njeriu, atëherë pendimi ka tre kushte.
1. Ai duhet që menjëherë të largohet nga mëkati,
2. Duhet që me zemër të bëhet pendimi për kryerjen e tij.
3. Duhet që paluhatshëm të vendoset që asnjëherë të mos i kthehet të njëjtit mëkat. Nëse mungon njëri prej këtyre kushteve atëherë pendimi nuk është i vlefshëm.Nëse mëkati ka të bëjë me ndonjë njeri atëherë pendimi ka katër kushte: tre që i përmendëmj më parë dhe (i katërti) borxhin t'ia kthejë atij që i ka borxh. Nëse borxhi është i natyrës materiale atëherë të njëjtin ia kthen, kurse nëse mëkati është i atillë që ka dënim më të madh gjyqësor ose të ngjashëm, atëherë është i obliguar të mundësojë ekzekutimin e dënimit ndaj tij, ose të kërkojë falje nga ai të cilin e ka dëmtuar, e nëse ka të bëjë me ofendim gjuhësor-atëherë do t'ia kërkojë hallallin personit të cilin e ka ofenduar.
Vëllezër besimtarë!
Do ta përfundojmë me nji ajet Kur’anor ku Allahu i plotfuqishëm thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, por vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)“ (Ali-Imran:102)
Prandaj vllezër besimtarë! Secili prej nesh sa jemi gjallë dhe kemi mundësi duhet të bëjmë teobe-pendim nga gjynahet tona,dhe njiher e përgjithmonë ti drejtohemi islamit të pastër duke i aplikuar-duke i çuar në vendë të gjithë urdhërat e Allahut Fuqiplot,për arsye se jemi lindë musliman duhet të jetojmë si muslimanë dhe duhet të vdesim si muslimanë të vërtetë,për ate se nëqoftëse nuk punojmë kështu neve na pret denim i rëndë në ket botë kalimtare dhe gjykim i gjatë dhe i vështirë në Ditën e Gjykimit,kur do të dalim para Allahut Fuqiplot.Më në fundë vllezër i bëjmë dua-lutje Allahut Fuqiplot që të na falë neve,familjet tona dhe të gjithë muslimanët pa marë parasysh se ku jetojnë ata.Allahu na udhëzoftë në rrugë të drejtë.Amin.
Hutbe: E pregaditi Xhelal ef. Xhemaili,fsh. Sedllarcë

Nuk ka komente: