e shtunë, 10 maj 2008

Xhelal xhemaili: "Butësia dhe falja"

Xhelal Xhemaili

Butësia dhe falja

Falenderimi i takon All-llahut xh.sh,Krijuesit të botërave.0 Zot, fale krijesën më të ndershme, Muhammedin s.a.v.s..Përshëndetjet tona qofshin mbi familjen e tijë të pastërt dhe mbi as-habët e tij të zgjedhur dhe të devotshëm.Allahu xh.sh.qoftë i kënaqur me ne dhe me ata.
Vëllezër besimtarë!
Feja islame kërkon prej pasuesve të vetë që të kenë merhamet,butësi dhe keqardhje ndaj vëllezërve të vetë muslimanë, ndaj njerëzve në përgjithësi dhe ndaj të gjitha krijesave.Allahu Fuqiplot në Kur’an thotë:
“Që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshillluan për mëshirë (për ndihmë)”. (Beled, 17)
Kurse Pejgamberi s.a.v.s.thotë: “Ai që nuk bëhet i mëshirshëm ndaj njerëzve, nuk do ta mëshirojë Allahu”. (Buhariu)
Poashtu thotë: “Ata që bëjnë mëshirë do t’i mëshirojë i Gjithmëshirshmi, bëni mëshirë ndaj atyre që janë në tokë do t’ju mëshirojë Ai që është në qiell”. (Ebu Davudi)
Nëse dikush është zemërashpër dhe nuk ka ndjenja merhameti dhe keqardhjeje për fëmijët jetimë, për të hendikepuarit, për pleqët, për njerëzit tjerë dhe krijesat në përgjithësi, kjo tregon se është njeri i keq.
Thotë pejgamberi s.a.v.s “Nuk ngrihet mëshira, përveç se prej njeriut të keq”. (Ebu Davudi)
Islami në esencë lejon që të paguhet e keqja me të keqe, duke e ndëshkuar me aq sa meriton shtypësin, nëse ky është mjeti i vetëm për të ndalur të keqen.
Allahu xh.sh në Kur'an thotë: “Ndëshkimi i të keqes, bëhet me një të keqe në të njëjtën masë”. (Esh-Shura, 40).
Por faljen e bën mjet të zhvillimit shpirtëror e kontrollues të epsheve dhe të zemërimit dhe që të pastrohet rrethi nga urrejtja.
Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: “E kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu.Vërtet Ai nuk i do zullumqarët”. (Esh-Shura, 40)
Gjithashtu Allahu xh.sh në Kur'an thotë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”. (Fussilet, 34-35)
Muhammedi a.s. ka qenë shembull për butësi dhe falje ndaj të tjerëve, ai nuk ka ra në hidhërim dhe afekt, por me sjelljen e vete të matur i ka përfituar njerëzit, hidhërohej vetëm atëherë kur nëpërkëmbeshin urdhërat fetare.
Me një rast Muhammedi a.s. i pyeti të pranishmit: “Cilin e konsideroni më të fuqishëm prej juve”. Ata thanë: Atë që i mundë të tjerët. Atëherë Muhammedi s.a.v.s. tha: “Jo, por më i fuqishëm është ai që e sundon veten në hidhërim”. (Muslimi)
Njeriu shumë herë në jetë dëgjon fyerje, ofendime e sharje dhe hidhërohet, po sikur tu përgjigjej të gjitha këtyre akuzave duhej të ishte gjithnjë në grindje me rrethin shoqëror dhe jeta do të ishte e padurueshme. Zënkat dhe fjalosjet ndërmjet individëve dhe grupeve prishin sigurinë publike dhe i rënojnë themelet në të cilat bazohet shoqëria dhe atë e bëjnë poligon të intrigave dhe turbullirave.
Thotë Allahu xh.sh.në Kur'an: “E mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë”. (El-Enfalë, 46)
Vëllazëria ndërmjet muslimanëve duhet të dominojë ndaj mospajtimeve dhe zënkave, në sjelljet ndërmjet veti duhet patur butësi dhe tolerncë, ndërsa ndaj armiqëve duhet treguar krenari dhe ashpërsi.
Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: “Muhammedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete”. (El-Fet-h, 29)
Feja islame kërkon që të jemi zemërgjërë dhe t’i falim ata që gabojnë ndaj neve, sepse atëherë edhe Allahu na fal neve gabimet ndaj Tij.
Thotë Allahu xh.sh. në Kur'an: “Le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë ju? Allahu falë dhe mëshiron shumë”. (En-Nur, 22)
Nga Muadh ibn Enesi r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e përmban zemërimin e tij atëherë kur ka mundësi t'ia kthejë (personit që e ka zemëruar), All-llahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit do ta ftojë që para të gjitha krijesave ta zgjedhë cilën të dojë nga hyritë”. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë se është hadith hasen)
Vëllezër besimtarë!

Allahu i gjithëfuqishëm, si krijues i gjithësisë, kërkon prej nesh shërbim të sinqertë dhe t’i përkushtohemi me besnikëri, pa anim të ndonjë interesi moral apo material të kësaj bote.
Thotë pejgamberi s.a.v.s. “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim”. (Muttefekun alejhi)
Vet fjala “islam” e ka atë kuptim, dmth. me zemër, shpirt dhe gjuhë t’i dorëzohesh Krijuesit të gjithësisë dhe të gjitha veprimet t’i bëjsh vetëm për hirë të Tij pa kurfar interesi të kësaj bote.
Nuk mjafton vetëm me emër dhe me sjellje tradicionale të jemi musliman por duhet që me ibadetet dhe veprimet tjera tona t’i përkushtohemi me sinqeritet Allahut xh.sh.
Thotë pejgamberi s.a.v.s. “Me të vërtetë Zoti xh.sh. nuk ua shiqon formën e juaj, por ua shiqon zemrat e juaja dhe veprat e juaja”. (Hadith)
Munafikët (dyftyrshat) të cilët veprat e tyre nuk i bëjnë për Zotin, por që të thonë njerëzit se janë besimtarë të mirë, ose për qëllime të tjera, Zoti do t’i dënojë ashpër në botën tjetër.
Thotë Allahu xh.sh. në Kur'an: “S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjeshë mbrojtës”. (En-Nisa, 145)
Transmetohet nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh'arij r.a. që thotë: “E kanë pyetur Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. për njeriun që lufton për të treguar trimëri, që lufton për fanatizëm (nacional, fisnor ose familjar) dhe për sy të botës, cila prej këtyre (luftërave) është në rrugë të All-llahut?” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. thotë: “Kush lufton (me armikun) vetëm për dominim dhe epërsi të fjalës së All-llahut (fesë së Tij-Islamit), vetëm ai është në rrugë të All-llahut”. (Muttefekun alejhi)
Edhe ne vëllezër duhet të mundohemi të luftojmë për hirë të Allahut,dhe vetëm fjala e Allahut xh.sh.të triumfojë.Allahu xh.sh.na ndihmoft dhe në rrugën e drejtë na udhëzoftë.Amin.

Hutbe e mbajtur me 05-01-2007,e Xhuma,fsh.Sedllarcë,
E pregaditi imami i xhamis Xhelal ef.Xhemaili.

Nuk ka komente: