e premte, 9 maj 2008

Xhelal Xhemaili: "Maturia dhe modestia"

Xhelal Xhemaili

Hutbe: Maturia dhe modestia

Falënderimi i qoftë Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. E falenderoj dhe pendohem tek Ai si dhe i kërkoj falje nga të gjitha mëkatet. Dëshmoj se vetëm Allahu e meriton të adhurohet si dhe dëshmoj se Muhamedi s.a.v.s është robi dhe i dërguari i Tij.Kijeni frikë Allahun dhe jeni të përkushtuar ndaj Tij.Kapuni fort për këtë fe të cilën Allahu e zgjodhi për krijesat e Tij duke orientuar në të ata që Ai deshi, kështu që iu mundësoi atyre të ndjekin rrugën e mirësisë e të shpëtojnë nga të këqijat e të dy botëve.
Vllezër të nderuar ajetin që do ta përmendim në fillim Allahu Fuqiplot thotë:
“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira Allahu do t’i shtie në xhennete nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri.” (Muhammed,12)
Muslimani këtë botë e shiqon ashtu si është realisht, vëmendjen e tij nuk e tërhek kjo botë në dëm të ahiretit. Ai në këtë botë nuk jeton vetëm duke shijuar ëmbëlsi dhe duke i kënaqur pasionet e veta, sepse qëllimet e tij janë më të larta dhe e pengojnë që të meret me gjëra të kota.
Muslimani poashtu nuk i bën padrejtësi vetvetes që ta ndalojë nga mirësitë e kësaj bote të cilat ia ka lejuar Allahu xh.sh. por bën jetë modeste duke iu përmbajtur një programi të moderuar në sjelljen dhe shfrytëzimin e mirësive të kësaj bote, ashtu që ruhet nga gjërat që i ka ndaluar Allahu xh.sh. dhe nuk e tepron duke bërë jetë të shfrenuar,dhe të pa kontrolluar.Allahu xh.sh në Kur-an thotë:

“O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju Allahu i lejoi (i bëri hallall) dhe mos teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).” (El-Maide,87)
Nëse shiqojmë realisht, njeriut në këtë botë i nevojitet të ketë shëndet, furnizim, të jetë i lirë , i sigurtë dhe të ketë qetësi shpirtërore, e jo të bëhet rob i pasioneve dhe jetës së shfrenuar.
Pejgamberi a.s. thotë: “Ai që ka prej juve siguri, shëndet dhe furnizim të përditshëm është sikur me e patur krejt botën.”(Tirmidhiu)
Gjithashtu thotë: “Nuk është i pasur ai që ka shumë kapital, por ai që ka pasuri shpirtërore.” (Hadith)
Muslimani e din se pasuria dhe kapitali nuk sjellin gjithnjë lumturinë e kësaj bote dhe kënaqësinë e Allahut në botën tjetër. Pasuria kur ndodhet në duart e njerëzve të prishur nuk përdoret për të mirën e përgjithshme, por keqpërdoret, prandaj edhe Zoti këtë pasuri e bën dënim për pronarët e vet.
“Po ty të mos duket e mirë pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre. Allahu deshi t’i mundojë me të në këtë botë dhe t’u dalë shpirti duke qenë mohues.” (Et-Tevbe,85)
Duhet të jemi të matur në shfrytëzimin e të mirave të kësaj bote, t’i sundojmë pasionet-epshet dhe të jemi modest.Allahu xh.sh në Kur-an thotë:
“Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, ndaj djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.” (Ali Imran,14)
[i]
Vet fjala “Islam” e ka këtë kuptim, dmth. me zemër, shpirt dhe gjuhë t’i dorëzohesh Krijuesit të gjithësisë dhe të gjitha veprimet t’i bëjsh vetëm për hirë të Tij pa kurfar interesi të kësaj bote.
Nuk mjafton vetëm me emër dhe me sjellje tradicionale të jemi musliman por duhet që me ibadetet dhe veprimet tjera tona t’i përkushtohemi me sinqeritet Allahut xh.sh.

Vllezër besimtarë! Munafikët (dyftyrshat) të cilët veprat e tyre nuk i bëjnë për Zotin (por për rija),që ti shohen njerëzit dhe të thonë se janë besimtarë të mirë, ose për qëllime të tjera, Zoti do t’i dënojë ashpër në botën tjetër.Dhe Zoti në Kur-an.

“S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjeshë mbrojtës.” (En-Nisa,145)
Është pyetur Muhammedi a.s. për luftëtarët, se cili prej tyre konsiderohet se lufton në rrugë të Zotit, ai që lufton për emër, ai që lufton për trimëri ose ai që lufton nga ndjenjat nacionaliste. Është përgjigjur: “Ai që lufton që fjala e Zotit të jetë e lartësuar konsiderohet në rrugë të Zotit.”(Nesaiu)
S’ka dyshim se lufta, studimi dhe humanizmi janë nga veprat më të çmuara dhe që arihen me sakrifica të mëdhaja, por nëse nuk e kanë nijetin e pastër të çojnë në xhehenem.Allahu xh.sh. në Kur-an thotë:

“Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’u plotësojmë atyre shpërblimet e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë.Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.”(Hudë, 15-16)
Pejgamberi i Allahut Mihammedi a.s. thotë: “Me të vërtetë Allahu e pranon vetëm atë që bëhet sinqerisht për të fituar kënaqësinë e Allahut.” (Hadith)
Vllezër! E kemi, poashtu, për detyrë-borxh ta falënderojmë Allahun xh.sh. për të mirat që na i ka dhënë dhe na ka shpërblyer me to, sepse vetëm në atë mënyrë i meritojmë mirësitë e Tij të mëdha.Dhe e përfundojm me ajetin Kur-anor ku Allahu xh.sh.thotë:

“Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: nëse falënderohi, do t’ua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim,7)
[ii]Andaj,Vllezër duhet të ju përmbahemi fort porosive dhe këshillave të fésë Islame nëse dëshirojm që gjendja e jonë të jetë vazhdimisht e mbarë dhe e rregulluar,si në ket botë kalimtare poashtu në botën e ardhshme.
Lusim Allahun Fuqiplotë të na bëjë prej atyre që dot punojshim vetëm punë të mira,të na fale maturi-sabër dhe modesti,dhe mos të bëhemi kryelartë-qibërli.Allahu na udhëzoftë në rrugë të drejtë.Amin.

Hutbe e mbajtur me 09-06-2006,e Xhuma,fsh.Sedllarcë,
E pregaditi imami i xhamis Xhelal ef.Xhemaili.

Nuk ka komente: